
Edicioni 2023-2024 i futbollist shqiptar u mbyll në mënyrën më spektakolare të mundshme. Finalja e madhe mes Partizanit dhe Egnatias uli ‘siparin’ e një viti të gjatë e të ‘çmendur’ me ndodhi nga më të ndryshmet.
Egnatia u shpall skuadra kampione duke mposhtur Partizanin në ‘Air Albania’ e duke ngritur lart trofeun e parë të kampionit në historinë e tyre. Të kuqtë dorëzojnë fronin dhe duhet të mjaftohen me vendin e dytë të Superiores.
E megjithatë, nuk ka aspak kohë për të pritur, pasi data për startin e sezonit të ri mësohet që tani. Është vetë gazetari Gerti Çarçani që zbuloi në emisionin ‘Skaner’ datën ekzakte: Me aq informacione sa kam, më 18 gusht nis sezoni i ri i Superiores.
Pavarësisht kësaj, nuk ka ende asgjë zyrtare pasi duhet konfirmimi i FSHF-së për të ‘vulosur’ gjithçka.
Protagonistët e futbollit, duke nisur nga kampionët e Egnatias, për të vazhduar me ‘europianët’ Partizani, Vllaznia e Tirana, e për ta mbyllur me të ‘rinjtë’, Elbasani e Bylis… të gjithë do të bëjnë pak kohë pushim e më pas rinis faza përgatitore dhe merkato që do të ‘ndezë’ sërish motorrët e futbollit shqiptar.